Tiranë, 24.12.2019
Redaksia e revistës shkencore-kulturore “Univers” u mblodh për të diskutuar mbi artikujt që do të jenë pjesë e numrit 21, si dhe mbi disa ndryshime të mundshme në mënyrën e menaxhimit dhe strukturimit të saj. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin drejtori i revistës, Dr. Ardian Muhaj; kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, anëtarët e redaksisë: Prof. Dr. Arian Kadiu; Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani; Prof. Dr. Nevila Nika; Prof. Dr. Seit Mansaku, koordinatorja: Znj. Anisa Hykaj, dhe redaktorja letrare në AIITC, znj. Oriola Sula.
Fjalën e hapjes e mbajti drejori Muhaj, i cili prezantoi rendin e diskutimeve, ndërsa kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, vlerësoi prurjet cilësore të këtij numri, por edhe punën kritike të anëtarëve të redaksisë, që ka ndikuar në përmirësimin e artikujve, duke plotësuar standardet e kërkuara nga një revistë e nivelit ndërkombëtar, siç është edhe revista “Univers”. Më pas u shpalosën mendimet e anëtarëve të redaksisë mbi secilin prej shkrimeve të paraqitura për botim, duke nxjerrë në pah vlerat e tyre dhe mundësitë për rishikim apo përmirësime të mundshme.
Pas diskutimeve, sugjerimeve dhe përcaktimit të artikujve që do të kalohen për botim në nr. 21, kryeredaktori shtroi për diskutim edhe disa ide mbi ndryshime të mundshme në mënyrën e menaxhimit dhe në paraqitjen e revistës “Univers” nga ana vizuale e strukturore, duke marrë edhe mendimin e anëtarëve të redaksisë mbi këto çështje.
Në fund të mbledhjes, koordinatorja e revistës, znj. Anisa Hykaj, prezantoi një raport rreth ecurisë së Bibliografisë së 20 numrave të revistës shkencore-kulturore “Univers”, që është në proces strukturimi dhe pritet të botohet së shpejti, si një orientues i studiuesve dhe i lexuesve në përzgjedhjen e artikujve për të cilët ata janë të interesuar.