Kavajë, 10.01.2020
Qendra social-kulturore Çetë, në bashkëpunim me shkollën 9-vjeçare Çetë, organizuan aktivitetin me temë “Teknologjia dhe rrjetet sociale, ndikimi psikologjik e moral te brezi i ri”, ku morën pjesë mësues, nxënës, prindër dhe banorë të zonës. Takimin e përshëndetën Drejtori i shkollës, z. Arben Gjini, dhe përfaqësuesi i AIITC, z. Pëllumb Jaupi.
Psikologia Blerta Xhelezi i kushtoi vëmendje të veçantë ndikimit të internetit dhe rrjeteve sociale në gjendjen psikologjike të fëmijëve, duke nënvizuar se qëndrimi me orë të zgjatura para tyre dëmton sistemin nervor, formimin e personalitetit dhe ul nivelin e përqendrimit në mësime. Gjithashtu teknologjia ka ndikuar në ftohjen e marrëdhënieve dhe integrimit të tyre social. Ajo ndau me të pranishmit edhe disa këshilla orientuese, se si të reduktojmë orët e zgjatura të fëmijëve para celularit apo kompjuterit.
Ndërsa mësuesja Françeska Kanapari foli mbi shqetësimin e stafeve pedagogjike kundrejt evidentimit të rasteve problematike dhe konflikteve mes nxënësve, si pasojë e rrjeteve sociale. Gjithashtu ajo theksoi se nuk duhet të lejohet pajisja e nxënësve me celularë në shkolla nga prindërit e tyre, pasi kjo ul ndjeshëm produktivitetin e nxënësve në orët mësimore. Ajo dha edhe disa këshilla, se si mund ta shfrytëzojmë internetin në funksion të shkollës, përmes realizimit të projekteve, gjetjen e informacioneve të dobishme për lëndët si biologji, gjeografi, matematikë, edukatë etj.
Në këndvështrimin e një prindi, situata duket edhe më problematike. Sipas Kryetarit të Bordit të prindërve, z. Shkëlqim Merkoqi, koha që fëmijët kalojnë në internet po i pengon ata të përfshihen në aktivitete të ndryshme sociale, edukative dhe sportive, duke krijuar një gjendje pasiviteti dhe indiferentizmi. Pamundësia e kontrollit të vazhdueshëm nga ana e prindërve, bën që fëmijët të shohin edhe video joedukative në internet apo rrjete sociale. Gjithashtu kjo varësi ndaj teknologjisë ka ftohur ndjeshëm marrëdhëniet prindër-fëmijë, duke çuar shpesh edhe në konflikte apo hatërmbetje. Ai kërkoi edhe bashkëpunimin e stafit pedagogjik me bordin e prindërve, me qëllim zvogëlimin e këtij fenomeni.