Përkushtimi i fëmijëve në nxënien e dijeve shpërblehet në mënyrën më të mirë nga qendrat social-kulturore të mbështetura nga AIITC. Duke synuar argëtimin dhe bashkëveprimin social të tyre, aktiviteti i radhës ishte një ekskursion në zonën e Durrësit, ku dhjetëra fëmijë të kurseve të edukatës islame zhvilluan vizita në dy xhami dhe në portin detar, u argëtuan përmes një shëtitjeje në bregdet dhe në këndin e lodrave.

Fillimisht, fëmijët të shoqëruar nga përgjegjësit e këtyre qendrave ndaluan në xhaminë e Qerretit të Kavajës, ku u njohën nga afër me stilin arkitekturor osman dhe shërbimet që ajo ofron për besimtarët e zonës. Më tej, ata vizituan xhaminë me katër minare “Riza Bajrami” dhe qendrën “Nënë Ilmie” pranë kësaj xhamie, në Shkozet të Durrësit, ku realizuan edhe një sërë fotosh në grup.   

Pas një shëtitjeje përgjatë vijës bregdetare, fëmijët u ndalën në Portin e Durrësit ku panë nga afër procedurat e ankorimit të anijeve detare dhe përpunimit të mallrave. Kureshtja më e madhe e tyre ishte vëzhgimi i anijeve gjigande që qëndronin mbi ujë, si pallate shumëkatëshe. Në fund të kësaj dite të gjatë e plot aktivitet, ekskursioni u mbyll me një ndalesë në këndin e lodrave të Durrësit, ku fëmijët u argëtuan për më shumë se një orë, duke zhvilluar lojëra të ndryshme që ndihmojnë në zhvillimin fizik dhe mendor të tyre.