Kroaci, 04-05.02.2020
Liga e Botës Arabe në bashkëpunim me Komunitetin Musliman të Kroacisë organizuan konferencën botërore ndërfetare me temë “Vëllazëria njerëzore për forcimin e sigurisë dhe paqes”. Konferenca dyditore mblodhi në Zagreb të Kroacisë udhëheqës të institucioneve fetare nga vende të ndryshme të Europës, Azisë, Afrikës etj., ku u përfaqësua zëri i muslimanëve anekënd globit. Qëllimi i saj ishte bashkëpunimi ndërfetar e njerëzor për arritjen e paqes sociale, për forcimin e bashkëjetesës dhe ndërtimin e urave vëllazërore njerëzore.
I ftuar në këtë konferencë ishte edhe kryetari i Bordit drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, Dr. Faruk Borova, i cili në fjalën përshëndetëse e vlerësoi të goditur tematikën e përzgjedhur nga organizatorët, duke theksuar se vëllazëria njerëzore në Shqipëri është në nivele të kënaqshme, falë punës së mirë që bëjnë institucionet fetare, por edhe si rrjedhojë e tolerancës ndërfetare që mbizotëron në vendin tonë.
Punimet e konferencës u zhvilluan në disa sesione, ku referuan dhjetëra pjesëmarrës me tematika të ndryshme, si: “Vëllazëria njerëzore, feja, kultura dhe etnia”, “Së bashku ne i përballojmë sfidat”, “Idetë për formimin e bazave në rritjen e sigurisë dhe paqes”, etj. Gjatë fjalimeve të mbajtura u theksua se kjo konferencë ishte mëse e nevojshme për kohën aktuale, pasi duhet të kuptojmë se dallimet dhe shumëllojshmëria e përkatësive tona është një begati e madhe që duhet ta kultivojmë me përhapjen e respektit, paqes dhe tolerancës mes shoqërive njerëzore, duke dënuar dhunën, urrejtjen dhe ekstremizmin.