“Mësimi në vegjëli, si gdhendja në gur”. Kjo është motoja nën të cilën dhjetëra fëmijë ndjekin kursin e Edukatës Islame në xhaminë Malbardhë të rrethit Kurbin. Aty ofrohen mësimet bazë të fesë islame për 23 kursantë, duke zbatuar një program dhe metoda bashkëkohore, përmes botimeve më të mira të AIITC në lëndët: Kuran, Fikh, Hadith, Sunet, Histori islame dhe Gjuhë arabe. Veçori e këtij kursi është se, përveç formimit islam, të gjithë kursantëve u ofrohet falas edhe mësimi i gjuhës angleze, gjë e cila ka ngjallur  interes te vetë fëmijët dhe te banorët e zonës.  

Por aktivitetet interaktive janë pjesë e pandarë e punës në këtë xhami. Herë pas here zhvillohen ekskursione, shëtitje, vizita në qytete të ndryshme, lojëra sportive, panaire, veprimtari artistike dhe festive etj.  Dëshira më e madhe e fëmijëve është angazhimi në sa më shumë aktivitete zbavitëse, pasi kjo gjë i tërheq ata edhe më tepër, për të qenë pjesë e pandarë e këtyre programeve edukative dhe argëtuese.  

Ecurinë e kursit të Edukatës Islame në Malbardhë e ndoqi nga afër edhe Përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, për të parë nga afër zbatimin e kurrikulës dhe programit të vendosur nga AIITC, si dhe për t′u njohur me nevojat që mund të kenë fëmijët.  Zhvillimi i këtyre kurseve vazhdon në të gjitha xhamitë dhe qendrat social-kulturore të ngritura nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.