Titulli: “Etika e thirrjes islame drejt një ftese të moderuar në Islam”

Autor: Dr. Hisham Altalib

Nr. fq: 140

ISBN: 978-1-945886-02-7

Libri “Etika e thirrjes islame drejt një ftese të moderuar në Islam” vjen në duart e lexuesve, si një  ftesë për rizgjimin e muslimanëve dhe përmbushjen e një sërë rregullash e parimesh thelbësore për jetën e besimtarit. Instituti i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam e pa të udhës botimin e këtij libri në gjuhën shqipe, duke pasur parasysh se ka tërhequr vëmendjen e shumë lexuesve në botë dhe ka marrë vlerësime të rëndësishme.

Në tetë kapituj, Dr. Hisham Altalib mundohen të shpjegojnë çështje si: vëllazëria islame, rreziku i fetarizmit të rremë, familja dhe gruaja në Islam, marrëdhënia e predikuesve në rrafshin individual e institucional, këshillimi me të tjerët, kualifikimi në fushën e predikimit, jurisprudenca e predikimit, cilësitë e një predikuesi në publik, mjetet dhe metodat e predikimit etj.   

Duke ngritur shqetësimin për mungesën  etikës dhe vrazhdësinë e shumë thirrësve, gjë që nuk e lehtëson aspak përqafimin e Islamit nga njerëzit, u pa e udhës botimi i këtij udhërrëfyesi, që do të ndihmojë ndjeshëm imamët në punën e tyre të përditshme me xhematet e xhamive dhe më gjerë, në grupimet shoqërore, në institucionet publike e private, në emisionet televizive, rrjetet sociale etj. Komuniteti musliman sot ka shumë nevojë  për vetëdije, korrektim, këshillim dhe rishikim, sepse vetë ai është një faktor njerëzor që përpiqet për mirë, por edhe mund të gabojë.

Prandaj, u pa e nevojshme përgatitja e një kodi etik për njerëzit që punojnë në fushën e thirrjes islame, duke u konkretizuar me botimin e librit “Etika e thirrjes islame”. Ai përmbledh rregullat themelore që mund të përvetësohen nga të gjithë predikuesit ose nga pjesa më e madhe e tyre. Por, në të njëjtën kohë,  këto rregulla janë me interes edhe për të gjithë muslimanët që së shpejti do të mbajnë në duar këtë libër.