Autor: Mehmet Tutuncu
Përkthyes: Dr. Ardian Muhaj
Nr. i faqeve: 332
Botues: AIITC
ISBN: 978-9928-126-26-9
Pas një pune serioze dhe angazhimi maksimal, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam realizoi botimin në shqip të veprës studimore “Përmbledhje e mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi”, të studiuesit Mehmet Tütüncü, një prej albanologëve të huaj që ka studiuar historinë dhe kulturën shqiptare. Ky studim i detajuar dhe i pasur në mbishkrime përmbush një boshllëk të konsiderueshëm në studimet albanologjike, pasi zbulon dëshmi të reja mbi mbishkrimet osmane në monumentet e kulturës islame në Shqipëri. Libri është konceptuar në tri pjesë me rreth 136 mbishkrime shqiptaro-osmane, të skalitura kryesisht në gurë, mure e drurë në trojet shqiptare dhe nga mbishkrues shqiptarë.
Periudha e parë e sundimit osman përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670. Në pjesën e dytë janë të renditura 90 mbishkrime nga qytetet e Shqipërisë, që i përkasin periudhës 1732 – 1913. Pjesa e tretë na njeh me 18 mbishkrime nga Mali i Zi, Tivari, Podgorica, Kalaja e Ulqinit, gurë varresh nga Mali i Zi, si dhe 4 mbishkrime nga Koleksioni Marubi. Pothuajse të gjitha mbishkrimet janë të ilustruara me foto origjinale dhe me një skedar (tabelë) ku janë vendosur të dhënat kryesore të mbishkrimeve të gjetura (qyteti, viti, emri, materiali, situata, gjuha).
Ky korpus me vlera të mëdha shkencore është rezultat i një pune kërkimore thuajse 8-vjeçare në territorin shqiptar. Përkthimi i këtij libri në gjuhën shqipe erdhi si një kërkesë e botës akademike shqiptare për thellimin e studimeve në këtë fushë thuajse të pashkelur. Duke pasur parasysh rëndësinë e tij në studimet albanologjike, por edhe në njohjen e një pjese të trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, botimi i këtij libri në gjuhën shqipe do t′u shërbejë studiuesve shqiptarë por edhe studentëve të historisë, arkitekturës, orientalistikës, apo gjuhësisë, si një instrument për të thelluar, orientuar e saktësuar edhe më tej studimet e tyre, gjë që do të nxisë për kërkime të mëtejshme në arkitekturën dhe artet e periudhës së sundimit osman në trojet shqiptare.