Autor: Islam H. Osmani
Nr. i fq: 226
Botues: AIITC
ISBN: 978 9928 126 29 0
Xhamitë kanë një misionin shpirtëror, që synon pasurimin e mendjes dhe zemrës, duke luajtur rol vendimtar në formimin e moralit, të virtyteve dhe karakterit të njeriut, familjes dhe shoqërisë gjilanase. Këtij misioni i shërben edhe botimi më i fundit i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, me titull “Historiku dhe peizazhi magjepsës i xhamive të Gjilanit”, një studim serioz i autorit Islam Osmani. Libri sjell informacion dhe të dhëna të sakta rreth historikut dhe vlerave arkitektonike, artistike, stileve dhe teknikave të ndërtimeve islame në territorin e Gjilanit. Ai hap një dritare nga ku lexuesi sodit një peizazh magjepsës shqiptar, i pikturuar me mjeshtëri të përsosur.
Arkitektura islame në trojet shqiptare paraqet më së shumti elementin autokton, duke u komunikuar njerëzve mesazhin universal. Autori ka arritur të njohë dhe të vlerësojë më mirë kontributin e arkitektëve dhe ndërtuesve shqiptarë në trevat tona, në Kosovë, Anamoravë e posaçërisht në Gjilan.
Fillimisht, libri na njeh me një informacion interesant mbi historikun e xhamive nëpër botë, përshkruan elementët kryesorë të tyre dhe vlerat që mbartin ato. Më pas studimi ndahet në disa kapituj, në bazë të periudhës kohore dhe regjimit aktual kur janë ndërtuar këto objekte. Radhitja e xhamive në libër është bërë në bazë të vjetërsisë së objektit fetar. Në fillim të tekstit për çdo xhami, janë paraqitur të dhënat elementare të objektit, ndërsa në fund të çdo teksti përshkrues të xhamive, janë paraqitur emrat e imamëve, sipas shënimeve të Komunitetit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, sipas personave okularë dhe gjendjes faktike nëpër xhami.
Nëpërmjet shpalosjes me vërtetësi të panoramës historike të xhamive të Gjilanit, argumentohet e vërteta mbi hershmërinë dhe përqafimin vullnetarisht të besimit islam prej shqiptarëve. Ky libër është një mesazh për brezat e rinj dhe për institucionet përkatëse, që këto monumente të lashta historike, si vlera të së kaluarës sonë, që i kemi trashëguar, të ruhen (edhe pse një numër i tyre tashmë ekzistojnë vetëm në foto) dhe, si të tilla, t’u përcillen gjeneratave të ardhshme.