Emisioni “Kontakt me librin” vazhdon të risjellë në vëmendje disa nga botimet më të hershme dhe më cilësore të AIITC ndër vite. Çdo të premte, në këtë emision janë të ftuar studiues, profesorë të nderuar e shkrimtarë që diskutojnë rreth këtyre botimeve, duke vlerësuar rëndësinë e tyre, në një këndvështrim profesional e kritik.   

Një prej këtyre botimeve ishte vepra me titull:  “Zhvillimi i Kulturës Islame te Shqiptarët gjatë shekullit XX”, i autorit Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Për të diskutuar mbi vlerat dhe rëndësinë tij, në studion e Radio Kontakt ishte i ftuar profesori i nderuar Xhemal Balla. Ai e vlerësoi këtë libër si një studim të mirëfilltë mbi botën islame shqiptare, nëpër të gjithë hapësirën e trojeve tona etnike e në diasporë. Profesor Balla analizoi me objektivitet disa nga çështjet e trajtuara në klëtë libër, si: Roli i kulturës islame në historinë e popullit shqiptar, tiparet kryesore të kësaj kulture, si dhe personalitetet dhe kontributi i tyre në përhapjen e besimit islam në Shqipëri, përgjatë shekullit XX.

I ftuari i radhës në emisionin “Kontakt me librin”, ishte shkrimtari Roald Hysa. Në rolin e redaktorit gjuhësor të librit me dy vëllime “Udha Muhamedane”, ai tregoi mbi vështirësitë e një botimi të tillë dhe vlerën e këtij libri. Kjo vepër mbetet një ndër përkthimet më të çmuara të literaturës klasike, i përftuar nga pena e Hafiz Ibrahim Dalliut, ku autori në gjuhën arabe është Imam Bergeviu. Sipas Roald Hysës, libri është trajtuar prej shumë studiuesve, si bazë për shpjegimin e çështjeve të moralit, kulturës, spiritualitetit dhe jurisprudencës islame. Vështirësia e risjelljes së këtij libri në një botim bashkëkohor, qëndronte te gjuha origjinale e përdorur nga Hafiz Ibrahim Dalliu. Librit i është bërë transliterimi letrar, por pa u larguar plotësisht nga gjuha e përkthyesit, sepse u mendua se duhet ruajtur diksioni dhe një pjesë e fjalorit origjinal, që i mungon fjalorit të sotshëm.