Sofra e iftarit gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit përcjell mesazhin e paqes, respektit dhe mëshirës ndërnjerëzore. Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam çdo vit ka shtruar iftare për qindra agjërues e besimtarë muslimanë, gjatë ditëve të Ramazanit.

Në dallim nga vitet e tjera, këtë vit agjërimi është përjetuar disi ndryshe. Sofrat e begatisë që mblidhnin agjëruesit rreth tyre, tashmë ia kanë lënë vendin ushqimeve të gatshme, të përgatitura posaçërisht për agjëruesit, të cilat shpërndahen pranë familjeve të besimtarëve muslimanë nga stafi i xhamive nën kujdesin e AIITC, në zona të ndryshme, ankend Shqipërisë.

Deri tani janë realizuar disa iftare, duke nisur me xhaminë Gjuricë në Durrës, për të vijuar më pas në zona e xhami të tjera, si: xhamitë Çetë dhe Helmas në Kavajë, xhamia Çermë në Lushnjë, xhamia Shkafanë në Durrës etj.

Shpërndarja e iftareve nga AIITC do të vazhdojë gjatë gjithë Muajit të Ramazanit edhe në shumë zona të tjera të vendit. Për të mundësuar realizimin me sukses të këtij projekti, është mëse e nevojshme edhe mbështetja financiare e donatorëve dhe personave që e ndjejnë si një detyrim shpirtëror, apo dëshirojnë të qëndrojnë sa më pranë sofrave të iftarit në familjet shqiptare.

Secili është i mirëpritur të kontribuojë në këtë nismë humane dhe fetare.