Sapo ka dalë nga shtypi numri 21 i revistës shkencore-kulturore “Univers”. Numri i ri vjen me një dizajn të ri, tërheqës dhe në koherencë me zhvillimet e fundit të teknologjisë, pa humbur thelbin dhe mesazhin universal që përcjell. Ky numër përmban 22 artikuj e punime shkencore me tema të larmishme, kryesisht: studime letrare e gjuhësore, analiza mbi çështje të kulturës dhe qytetërimit islam, portrete të personaliteteve nga vendi e bota, analiza ngjarjesh historike e dokumente, punime pedagogjike etj.
Numri 21 i revistës “Univers” nis me një editorial mbi aktualitetin dhe mbyllet me rezymetë e të gjithë artikujve në gjuhën angleze. Ndër titujt më të spikatur do të gjeni:
Studime
“Potencialet e energjisë diellore në vendet e Europës juglindore” nga Abdulsalam Alkholidi; “Shqetësime e përballjes së shkollës me adoleshentin e sotëm” nga Prof. Dr. Arian Kadiu; “Kontributi i tarikateve islame në komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” nga Dr. Alban Dobruna; “Kontributi i El-Mesudit dhe El-Idrizit në shkencën e gjeografisë dhe historisë” nga Artan S. Mehmeti etj.
Horizonte shoqërore
“Tek arbëreshët e Italisë” nga Prof. Dr. Ramazan Bogdani; “Shkodra, një dëshmi e konvergimit kulturor në panoramën e mes shekullit XIX” nga Dr. Dorina Arapi; “Sfondi estetik në poemën Dashuria të Naim Frashërit” nga Ramazan Fetahu etj.
Art, Kulturë dhe Traditë
“Një dijetar patriot që meriton një vend të veçantë në panteonin kombëtar të dijes dhe të atdhedashurisë” nga Prof. Dr. Rexhep Mejdani; “Prania e mitit në veprën Kështjella të Ismail Kadaresë” nga Jonada Dervishi etj.
Opinione
“Hutbeja si bartëse e mesazhit hyjnor në botën moderne” nga Dr. Husein Rizai; “E drejta islame” nga Prof. Dr. Kopi Kyçyku, “Konventat ndërkombëtare mbi përfaqësimin diplomatik dhe rastet praktike të funksionimit të tyre” nga Dr. Saimir Shatku dhe Armand Skrapi; “Komunikimi muzeor si dëshmi e lashtësisë dhe e identitetit kombëtar” nga Anisa Hykaj etj.
Me interes është edhe dokumenti i Dr. Nuridin Ahmetit mbi marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë në vitin 1974, apo botimet në fokus: vepra “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” dhe monografia “Banesat shqiptare me qoshk”.
Përmes trajtesave të larmishme, ky numër sjell një kontribut në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare, duke i shërbyer kështu jo vetëm botës akademike shqiptare, por edhe brezit të ri të studiuesve e studentëve në rrugëtimin e tyre të gjatë drejt dijes.
🌐 Shfletoni përmbajtjen e lendës dhe rezymetë në:
https://www.aiitc.net/…/20…/05/Revista-Univers-21-Rezyme.pdf