Pas përfundimit të konkursit të fotografisë “Xhamia më e bukur, Ramazan 2020”, sot, më datë 23.05.2020, në ambientet e AIITC u mblodhën anëtarët e jurisë për të vendosur fotot fituese. Juria profesioniste ishte e përbërë nga artisti dhe pedagogu i Akademisë së Arteve, Edison Çeraj, fotografi i njohur Roland Tasho dhe përfaqësuesi i Media Kontakt, Shkëlqim Koçi. Ata shqyrtuan me kujdes të gjitha fotot e fiksuara në aparatin fotografik të dhjetëra pjesëmarrësve.
Pas një diskutimi të gjerë mbi prurjet e larmishme në këtë konkurs, ata vlerësuan fotot më mbresëlënëse, nga pikëpamja artistike dhe profesionale, të realizuara nga konkurrentët. Gjithashtu anëtarët e jurisë u shprehën entuziastë për këtë nismë të ndërmarrë nga AIITC, si dhe dhanë sugjerime për zgjerimin e kësaj ideje dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij projekti për vitet në vazhim.
Pas marrjes së vendimit nga ana e jurisë, fituesit do të shpallen ditën e hënë, më datë 25 maj 2020. Ndërkohë që fotot e tjera të konkurrentëve pjesëmarrës do të bëhen pjesë e postimeve të herë pas hershme të AIITC, duke respektuar të drejtën e autorit.
Qëndroni në kontakt dhe na ndiqni të hënën dhe gjatë ditëve në vazhdim, për t’u njohur me fituesit dhe fotot e pjesëmarrësve.