Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), janë drejt përfundimit të një tjetër projekti në funksion të shkencës dhe kulturës islame. Bëhet fjalë për librin “Fuqia e Arsimit” të autorit Jeremy Henzell-Thomas, që shumë shpejt do të vijë edhe në gjuhën shqipe. Libri origjinal është botuar në vitin 2018, nga Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT).

“Arsimimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorësh për të ndryshuar botën”. Kështu e ka përkufizuar Nelson Mandela ndikimin e arsimit në formimin e njerëzimit. Këtij mesazhi i shërben edhe ky libër. Një mendje e arsimuar, është një mendje e fuqishme, nga ku buron edhe arsyeja e titullit të këtij punimi. Natyra dhe veçoritë e arsimimit kanë një rëndësi përtej përfitimit të njohurive, pasi ndikojnë në përmirësimin e shoqërisë.

Përtej mënyrës pasive të marrjes së diturive përmes rregullave të caktuara, autori synon t’i japë vlerë dhe përmbajtje zhvillimit mendor, ta lartësojë marrjen e diturive, në funksion të formimit intelektual dhe shpirtëror të individit, duke i kushtuar rëndësi shkëmbimit të mendimeve dhe takimeve ndërkulturore.

Paragjykimet perëndimore në fushën e kërkimeve kanë lënë pas dore ndihmesën e kulturave dhe qytetërimit islam. Autori thekson se Islami hapi rrugën drejt një kulture të “hulumtimit të pavarur dhe kërshërisë intelektuale”, e cila çoi në Rilindjen Europiane. Në këtë libër, ai u referohet edhe studiuesve të mirënjohur perëndimorë, që vlerësojnë kontributin e qytetërimit islam në arritjet e shkencës, deri në ditët e sotme.