Kurset verore të Edukatës Islame vazhdojnë me intensitet, duke u ofruar kursantëve njohuri në lëndët Kuran, Fikh, Hadith, Sunet, Histori Islame dhe gjuhë arabe. Nën moton: “Edukojmë duke argëtuar”, këto kurse kanë ndërthurur ofrimin e njohurive me argëtimin e fëmijëve, për t′i bërë ato sa më tërheqëse. Konkretisht, janë realizuar ndeshje futbolli e volejbolli, gara me biçikleta, vrap, shëtitje dhe lojëra të ndryshme në bregdet etj. Një vend të veçantë kanë zënë edhe panairet e kulinarisë, ku fëmijët sjellin gatimet e tyre tradicionale në ambientet e jashtme të xhamive në të cilat zhvillohen këto kurse.

Përveç argëtimit të fëmijëve, qëllimi i këtyre aktiviteteve është afrimi dhe shoqërimi i fëmijëve me njëri-tjetrin, krijimi i vetëbesimit, ruajtja e qetësisë dhe gjakftohtësisë, largimi nga zënkat dhe fjalët fyese apo ofendues, probleme me të cilat haset shpesh shoqëria shqiptare sot. Në këtë mënyrë, kurset e Edukatës Islame kontribuojnë për edukimin moral, shpirtëror dhe intelektual të fëmijëve tanë.