Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), realizuan një tjetër projekt në funksion të shkencës dhe kulturës islame. Bëhet fjalë për librin “Fuqia e Arsimit” të autorit Jeremy Henzell-Thomas, që sapo ka dalë nga shtypi. Libri origjinal është botuar në vitin 2018, nga Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT) dhe tani vjen në duart e lexuesve edhe në gjuhën shqipe.

Një mendje e arsimuar, është një mendje e fuqishme, nga ku buron edhe arsyeja e titullit të këtij punimi. Sipas autorit, natyra dhe veçoritë e arsimimit kanë një rëndësi përtej përfitimit të njohurive, pasi ndikojnë në përmirësimin e shoqërisë. Duke iu referuar edhe studiuesve të mirënjohur perëndimorë, që vlerësojnë kontributin e qytetërimit islam në arritjet e shkencës, deri në ditët e sotme, autori mundohet të tregojë rëndësinë e arsimimit në zhvillimin e njerëzimit.

Përtej mënyrës pasive të marrjes së diturive përmes rregullave të caktuara, autori synon t’i japë vlerë dhe përmbajtje zhvillimit mendor, ta lartësojë marrjen e diturive, në funksion të formimit intelektual dhe shpirtëror të individit, duke i kushtuar rëndësi shkëmbimit të mendimeve dhe takimeve ndërkulturore.

Libri “Fuqia e Arsimit” do t′u shërbejë lexuesve për të krijuar një ide më të qartë rreth ndikimit të Islamit në zhvillimin e arsimit, pasi paragjykimet perëndimore në fushën e kërkimeve kanë lënë pas dore ndihmesën e kulturave dhe qytetërimit islam. Aty theksohet se Islami hapi rrugën drejt një kulture të “hulumtimit të pavarur dhe kërshërisë intelektuale”, e cila çoi në Rilindjen Europiane.