Në koherencë me ngjarjet e fundit në mbarë botën, si pasojë e pandemisë së virusit Covid-19, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam publikoi një studim të zotit Luan Qafmolla, Specialist i Fizikës Bërthamore. Studimi me titull “Pandemitë dhe aksidentet nga agjentë të rrezikshëm” ishte një mesazh ndërgjegjësues për kujdesin që shkencëtarët duhet të tregojnë gjatë eksperimenteve të tyre, për shkak të ndikimit negativ që kanë në mjedis incidentet dhe aksidentet e shkaktuara nga agjentët e rrezikshëm kimikë, bakteriologjikë, radioaktivë dhe bërthamorë. Ky mesazh prezantohet si një përmbledhje e kuptimeve bazë të mbështetura në të dhëna shkencore, historike, administrative, monitoruese dhe matematikore për kuptimin sa më të mirë të rolit që vetë shoqëria njerëzore duhet të luajë në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së planetit tonë.
Kimikatet toksike, prodhuar nga laboratorët shkencorë, nëse dalin jashtë kontrollit njerëzor, kryesisht fokusohen me veprimet e tyre në helmimin e ushqimeve, ujit dhe përhapjen e tyre në sipërfaqe. Më pas, nga kontaktet mbi lëkurën e njeriut dhe të kafshëve, i helmojnë ato. Sipas studiuesit Qafmolla, në rast të një gabimi nga faktori njerëzor, ose të daljes së situatës jashtë kontrollit, duhet të merren masat parandaluese mbrojtëse dhe të jenë të menjëhershme, në kohën e duhur dhe sa më efektive.Për shkak të qëndrueshmërisë dhe ndikimit afatgjatë të agjentëve toksikë në dy aspekte: shëndetit të njeriut dhe ndotjes së mjedisit nga pandemitë dhe aksidentet bërthamore, shoqëria njerëzore ndodhet në pozicione të pasigurta. Kryesisht, kjo situatë vjen si rrjedhojë e prishjes së ekuilibrave të burimeve natyrore në planet. Në këtë studim ai rendit edhe një sërë masash për parandalimin ose frenimin e këtyre fenomeneve.
Lexoni studimin e plotë në linkun:
〽 Katastrofat e pandemive të mëdha nga agjentët e rrezikshëm kimikë, bakteriologjikë, radioaktivë dhe bërthamorë (KBRB)…
Posted by AIITC – Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam on Monday, May 18, 2020