Soditja mendore është një ushtrim i bukur dhe gjakftohtë, i cili rrit vetëdijen e pranisë hyjnore dhe qetëson shpirtin. Në këtë mënyrë, soditja krijon një botëkuptim paqeje, përulësie dhe mendjeje të shëndoshë, shumë e nevojshme në këto kohë gjithnjë e më të trazuara. Ky është thelbi i librit “Soditje, një studim mendor-shpirtëror islam”, i autorit Dr. Malik Badri, i cili pritet të dalë nga shtypi së shpejti, në vazhdim të një projekti të frytshëm mes Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS).
Në këtë punë mbresëlënëse, Dr. Malik Badri kërkon të përqendrohet te shpërfillja e përmasës shpirtërore nga Psikologjia Perëndimore, duke vërtetuar se ideja e zhytjes në mendime është një mjet i fuqishëm që lidh mendjen me shpirtin dhe zemrën. Soditja mund të sjellë lehtësim dhe shërim të çrregullimeve psikologjike, të cilat shkaktojnë vuajtje për njerëzimin dhe mund të quhen “sëmundjet e shpirtit”.
Është një libër për ata që merren me qasjen islame, drejt nevojës së ngutshme të shkencave bashkëkohore për të rizbuluar këndvështrimin shpirtëror në jetën e tyre. Disa psikologë perëndimorë kanë filluar ta pranojnë atë që muslimanët gjithmonë kanë besuar, sa i përket “shpirtit” njerëzor dhe rëndësisë së tij për jetën e njeriut. Shumë prej lexuesve të versionit origjinal të këtij libri, e pranuan se në tërësi ai kishte përmirësuar ushtrimin e tyre të besimit, Që atëherë, ai është ribotuar disa herë, si pasojë e kërkesës së lartë. Falë këtij projekti mes AIITC dhe CNS, shumë shpejt do të botohet edhe në gjuhën shqipe.
Libri “Soditje, një studim mendor-shpirtëror islam” është përdorur si literaturë bazë në psikologjinë dhe arsimin islam të nivelit universitar dhe pasuniversitar. Shpresojmë që kjo punë e pashembullt jo vetëm të jetë një ndihmesë e rëndësishme në fushën e shkencave të sjelljes njerëzore, por të shtojë interesin në mesin e specialistëve të fushës, për të shqyrtuar dhe zhvilluar më tej mendimet dhe idetë e parashtruara dhe të shtjelluara. Sidoqoftë, është e nevojshme të theksohet se ky nuk është një libër vetëm për dijetarët, specialistët dhe intelektualët, por përbën një lexim të vyer dhe tërheqës edhe për lexuesin e zakonshëm.