Shkodër, 20.07.2020

Një nga referuesit e trajnimit 10 javor të organizuar nga Myftinia e Shkodrës me imamët e zonës, ishte edhe drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj. Ligjërata e tij u përqendrua në rolin dhe kontributin e personaliteteve të shquara fetare e atdhetare, si Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Ali Kraja, Mulla Idriz Gjilani, H. Muhamed Çami etj., në ngritjen kombëtare, në ruajtjen dhe kultivimin e brezave me dashurinë për fenë dhe atdhedashurinë.

Pas falënderimit të Myftinisë Shkodër për organizimin e këtij seminari të rëndësishëm dhe për ftesën ndaj tij, për të qenë pjesë e këtij trajnimi me vlerë, Dr. Muhaj theksoi se këto personalitete patën një kontribut të çmuar në Rilindjen Kombëtare. Duke njohur rëndësinë e madhe të arsimimit të popullit shqiptar, përveç përpjekjeve për liri kombëtare, krahas zhvillimit të veprimtarive atdhetare, ata i kushtuan rëndësi edhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe.

Ligjëruesi solli edhe shembuj konkretë nga Libri i Krijuesit të Gjithësisë, ku Allahu (xh.sh.), pavarësisht se i krijoi njerëzit në popuj (kombe) e fise, i dha mundësinë e njohjes ndërmjet vetes dhe dëshmimin me seriozitet e korrektësi, si mëkëmbës të Zotit Një!

Binomi fé-atdhe, sipas Dr. Muhaj, duhet të na thërrasë drejt tolerancës, bashkëjetesës paqësore dhe me dinjitet, si dhe mirëkuptimit, duke respektuar vlerat e njëri-tjetrit, pa hile e fshehje të urrejtjes dhe nënçmimit.

Pas trajtimit të kësaj teme në këndvështrimin e një historiani, disa prej imamëve të pranishëm bënë pyetje dhe dhanë mendimet e tyre në lidhje me çështjet e trajtuara. Në fund, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, pasi vlerësoi këtë ligjëratë plot dobi dhe të nevojshme, theksoi se gjurmët e hoxhallarëve të shkuar, deri në ditët e sotme, në raportet e shërbimeve për çështjen kombëtare, janë të panumërta. Ai tha se, falë studimeve, emrat dhe gjurmët konkrete të prijësve fetarë muslimanë janë të regjistruara, të botuara dhe në dorëshkrime. Prandaj, imamët e sotëm, por edhe studiuesit, intelektualët dhe masat e gjera, duhet të jenë mirënjohës për shëmbëlltyrën e hoxhallarëve dhe personaliteteve të shquara fetare islame në ngritjen dhe ruajtjen e vetëdijes fetare dhe kombëtare te ne.