Ata që i përjetojnë më së shumti situatat kritike të një shoqërie, janë fëmijët. Për të qenë sa më të kujdesshëm ndaj ndjeshmërisë së tyre, është detyrë e prindërve, mësuesve, mjekëve apo psikologëve, të ofrojnë informacionin e nevojshëm për ta. Këtij qëllimi i shërbeu edhe aktiviteti sensibilizues me temë: “Përjetimi i pandemisë në sytë e fëmijëve”, i organizuar nga Qendra social-kulturore Baldushk, me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Aktiviteti i zhvilluar në kuadër të programit kulturor dhe argëtues të kësaj qendre, synonte informimin e fëmijëve të kurseve të anglishtes rreth situatës së pandemisë, zbatimin e rregullave të vendosura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe rëndësinë e higjienës personale.
Nisur nga situata që po kalon i gjithë globi dhe informacioneve të ofruara në rrjetet sociale, fëmijët kishin përgatitur postera informuese në shqip dhe anglisht, me situata të ndryshme të kësaj pandemie. Takimin e hapi imami i xhamisë Baldushk, Mit’hat Kacollja dhe mësuesja e anglishtes Matilda Dapi, që ka ndihmuar në realizimin e posterave të fëmijëve. Më pas e mori fjalën Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit në AIITC, z. Pëllumb Jaupi, i cili solli shembuj konkretë, se si i trajton Islami rastet pandemike.
Ndërsa infermierja e zonës Erisa Greca, e trajtoi këtë çështje nga pikëpamja shëndetësore, duke u ndalur në masat mbrojtëse, se si të ruhemi nga pandemia. Pas prezantimit të posterave të përgatitura prej tyre, fëmijët interpretuan edhe disa poezi dhe ndanë me të pranishmit mesazhe ndërgjegjësuese, duke treguar edhe momente nga përjetimi i tyre personal, i izolimit që shkaktoi pandemia.