Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara, sjellin së shpejti për lexuesin shqiptar librin “Gjuha e mrekullueshme e Kuranit – Dëshmi e origjinës hyjnore” të autorit Bassam Saeh. Në këtë studim tërheqës autori është përpjekur të sqarojë aspektet e shumta gjuhësore të mrekullueshme të Kuranit. Eleganca, ritmi, shëmbëlltyrat e pasura, rrjedhshmëria, ndërthurja e metaforave dhe e koncepteve të veta, stilet e tij të ndryshme e të shumta, të padëgjuara më parë, dhe teknikat e prozës, po aq sa edhe përdorimi i shquar i fjalorit, e bëjnë atë një vepër të përkryer përjetësisht.
Ky punim është përkthimi në anglisht i botimit të shkurtuar origjinal në arabisht të librit me titull El-Muxhizeh, vëllimi I, IIIT, 2012. Ai i drejtohet lexuesit të zakonshëm, kështu që njohja e arabishtes nuk është thelbësore për të kuptuar çështjet e morfologjisë dhe teknikat e tjera gjuhësore që diskutohen, megjithëse aftësia e leximit në arabisht do të ishte e dobishme, edhe pse nuk kërkohet.
Sipas autorit, gjuha e Kuranit është mahnitëse, e pashoqe dhe dëshmi e autoritetit hyjnor. Bukuria dhe përsosmëria e tij ishte krejtësisht e re dhe mahnitëse për veshët e arabëve të shek. VII, të mbetur pa fjalë nga admirimi i vargjeve të tij, të recituara për herë të parë nga Profeti (a.s.). Ky studim shtjellon arsyet se përse Autori krahason gjuhën e Kuranit me gjuhën e poezisë para islamike, thëniet (hadithet) e të Dërguarit (a.s.) dhe gjuhën e arabëve, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, për të treguar që, megjithëse Kurani u shpall në gjuhën arabe, ajo ishte një arabishte krejtësisht e re.
Në përpjekje për të zgjidhur sekretet e kompozimit dhe gjuhës së tij, Bassam Saeh i udhëzon lexuesit të vlerësojnë bukurinë e Kuranit, të zhyten më tepër në të dhe të kenë një kuptim më të kthjellët të strukturës dhe rrjedhës së tij.
Studimi kërkon, në mënyrë empirike, të provojë që arabët nuk e dinin këtë gjuhë përpara Kuranit dhe nuk mundën ta përsërisnin më pas atë.
Për të sjellë në jetë diçka nga kjo mrekulli, autori përpiqet ta heqë këtë pengesë dhe t’ua paraqesë Kuranin lexuesve, sikur ta dëgjonin për herë të parë. Kështu, ai i udhëheq lexuesit drejt vlerësimit të bukurisë së Kuranit, përfshirjes më thellë në të dhe drejt një kuptimi më të qartë të strukturës dhe rrjedhës së tij. Për të mbështetur analizën e tij, Saeh i kushton vëmendje të veçantë sures El Muddethir. Në këtë mënyrë, e rijetëzon Shpalljen, duke treguar që secila sure ka tipare dhe karakteristika të dallueshme, që e bëjnë atë të qëndrojë në mënyrë unike, në skemën dhe tërësinë e saj.