Projekti madhor i botimit në shqip të disa prej veprave më ndikuese të fesë islame, vazhdon me daljen nga shtypi të librit: “Objektivat e ligjit islam – Një udhëzues për fillestarët”, të autorit Prof. Jasser Auda. Bëhet fjalë për një udhëzues mbi shpjegimin e objektivave të Ligjit Islam, i njohur në gjuhën arabe si Mekasid el-sharia, që tashmë ndodhet në duart e lexuesve shqiptarë, falë bashkëpunimit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS). 

Prof. Jasser Auda është dijetar i shquar dhe autoritet i njohur botërisht në fushën e Mekasidit. Ai jep leksione mbi ligjin, etikën dhe mendimin islam nëpër vende të ndryshme të botës dhe ka shkruar mbi njëzet libra në arabisht dhe anglisht, disa prej të cilëve janë përkthyer në njëzet e pesë gjuhë të ndryshme. ky botim është një nga veprat e tij më serioze në fushën e studimeve islame.

Mekasid el-sharia është ajo fushë e dijes islame, e cila u jep përgjigje pyetjeve sfiduese të niveleve të ndryshme. Ajo shpjegon “urtësitë që fshihen pas rregullave”, siç është “nxitja e unitetit social”, që përbën një nga urtësitë e bamirësisë, mirësjelljes ndaj fqinjit dhe përshëndetjes me “Paqe” (selam). Një tjetër urtësi që gjendet pas rregullave të caktuara, është edhe rritja e vetëdijes për Zotin, një nga arsyet e kryerjes së namazeve të rregullta, agjërimit dhe lutjeve.

Mekasidi përfshin edhe tërësinë e objektivave hyjnore dhe të koncepteve morale, mbi të cilat bazohet Ligji Islam, siç janë: drejtësia, dinjiteti njerëzor, vullneti i lirë, bujaria, dëlirësia, ndihma dhe bashkëveprimi social. Ato përfaqësojnë hallkën lidhëse ndërmjet Ligjit Islam dhe nocioneve të sotme të të drejtave të njeriut, zhvillimit dhe qytetarisë.

Të gjitha këto hallka të Ligjit Islam gjejnë shqyrtim të veçantë në këtë libër. Autori jep këndvështrimin e vet përmes argumenteve rreth mendimeve të dijetarëve të ndryshëm mbi trajtimin e kësaj teme. Gjithashtu, ai i jep përgjigje edhe një sërë pyetjesh mbi Mekasidin, duke shuar kureshtjen e miliona njerëzve mbi Islamin, sidomos brezave të rinj.