Xhamitë dhe Qendrat social-kulturore pranë tyre, janë shndërruar në vatra edukimi dhe kulture për komunitetin, sidomos për brezat e rinj. Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia botërore, në këto qendra u zhvilluan me sukses kurset verore intensive të Edukatës Islame. Qindra fëmijë të moshave shkollore, 6-14 vjeç, zgjeruan njohuritë e tyre në mësimet bazë të Islamit, në lëndët Histori profetike, Kurani Fisnik, Hadith, Fikh etj. Mësimi u zhvillua nën masat të rrepta të higjienës dhe ruajtjes së distancës, nga një staf i përkushtuar profesionist, ndërsa literatura e shfrytëzuar ishin botimet më të mira të AIITC në fushat përkatëse. 

Në përmbyllje me sukses të këtyre kurseve, fëmijët e QSK Bërzhitë organizuan në Xhaminë Bërzhitë një aktivitet kulturor. Pas fjalës përshëndetëse të Përgjegjësit të Edukimit pranë AIITC, Pëllumb Japupi, mbjati një ligjëratë imami i kësaj xhamie, Ilir Curri. Më pas fëmijët iu nënshtruan minikonkursit për matjen e njohurive të përvetësuara gjatë kursit veror intensiv. Në fund të këtij aktiviteti, për kursantët u shpërndanë dhurata simbolike dhe nga një kopje e Kuranit të Madhërishëm, botim i AIITC. Gjithashtu, ata u pajisën me certifikata, dëshmi e njohurive të fituara në kurset e Edukatës Islame. Në fund të këtij aktiviteti u shtrua edhe një drekë për të gjithë kursantët pjesëmarrës.

Kurset e Eduaktës Islame u shtrinë në 22 xhamitë dhe qendrat social-kulturore, në disa qytete si Tiranë, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Shkodër etj. Si gjithnjë, pjesë e projekteve të edukimit janë edhe veprimtaritë artistike dhe argëtuese, në të cilat kursantët zhvilluan ekskursione, lojëra sportive, panaire gatimi, apo konkurse të ndryshme. Ky projekt pritet të rifillojë në muajin shtator me energji të reja dhe më shumë pjesëmarrje.