Departamenti i Edukimit pranë AIITC organizoi në Qendrën social-kulturore Malbardhë aktivitetin me temë: “Xhamia, gurthemeli i edukimit ndër breza”, me fëmijët e kurseve verore intensive të Edukatës Islame. Në fjalën e hapjes, përgjegjësi i Departamentit të Edukimit, Pëllumb Jaupi, foli për projektet e AIITC në shërbim të komunitetit, duke vënë theksin te kurset e Edukatës islame dhe gjuhëve të huaja, që synojnë formimin intelektual të fëmijëve të moshës shkollore.

Ndërsa imami i xhamisë Malbardhë, Fogert Lamaj, në ligjëratën e mbajtur, fillimisht theksoi rëndësinë e Hixhretit profetik. Më pas, ai u përqendrua në rolin historik të xhamive për edukimin e brezave, jo vetëm me fenë e bukur islame, por edhe me moralin e lartë dhe me njohuri të përgjithshme nga të gjitha fushat e jetës. Sipas tij, xhamitë ishin dhe do të mbeten gurthemeli për edukimin e brezit të ri me parimet bazë të humanizmit, patriotizmit dhe besimit në Zot.

Fëmijët interpetuan disa nga ajetet kuranore dhe hadithet profetike, si dhe zhvilluan disa kuice për të provuar njohuritë e fituara në këto kurse. Në fund të këtij aktiviteti, për kursantët e pranishëm u shpërndanë edhe certifikatat e përmbylljes me sukses të kursit veror të Edukatës Islame. Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Departamenti i Edukimit ka nisur përpjekjet për shtimin e numrit të fëmijëve që do të regjistrohen në kurset e Edukatës Islame.