Tiranë, 14.09.2020
Pas daljes me sukses të numrit 21 të revistës shkencore-kulturore “Univers”, redaksia u mblodh për të diskutuar mbi artikujt e paraqitur për botim në numrin 22. Në takim morën pjesë drejtori i revistës, Dr. Ardian Muhaj, kryeredaktori Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, anëtarët Prof. Dr. Arian Kadiu, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Prof. Dr. Nevila Nika, Prof. Dr. Seit Mansaku dhe koordinatorja e revistës, znj. Oriola Sula.
Pas prezantimit të rendit të ditës, drejtori Ardian Muhaj solli në vëmendje disa ndryshime në strukturën e redaksisë, si tërheqja e Prof. Dr. Hamit Boriçit, për arsye personale. Ai vlerësoi kontributin e tij disavjeçar në vlerësimin e artikujve me profesionalizëm. Po kështu, u vlerësua edhe puna e koordinatores, znj. Anisa Hykaj për mirëmenaxhimin dhe mbarëvajtjen e revistës “Univers”, e cila largohet nga ky post për shkak të angazhimeve të saj në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore.
Kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, bëri një rezyme të gjithë punës, problematikave dhe risive të numrit 21 të revistës që doli së fundmi në shtyp. Ai tha se ky numër erdhi me një format dhe dizajn të ri, me punime cilësore dhe studime të mirëfillta shkencore. Ndërsa vlerësoi edhe disa nga prurjet për numrin 22 që sjellin tema interesante, në përputhje me zhvillimet e kohës dhe shumë prej tyre të patrajtuara më parë.
Takimi vazhdoi me diskutimet e të gjithë anëtarëve të redaksisë mbi artikujt e ardhur për shqyrtim, ku profesorët e nderuar dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për ndërhyrjet e nevojshme në këto punime, duke synuar botimin e tyre në versionin më optimal.