Ka nisur punimet Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Mësimi përgjatë jetës në Epokën Digjitale”, që mbahet në Vlorë, në datat 03-04 tetor 2020. Ajo organizohet nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam dhe Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT), në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), Institutin e Edukimit, Trashëgimisë dhe Turizmit (IETT), Universitetin Kanadez të Teknologjisë (CIT) dhe Qendrën për Mirëkuptim Ndërkulturor “Horizonti”, në Mal të Zi. 

Me një shtrirje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, Konferenca mblodhi së bashku aktorë nga fusha dhe shtresa të ndryshme, institucione kërkimore-shkencore, shtetërore e private, ofrues të arsimit, institucione të bashkësive fetare islame, udhëheqës të komunitetit, mësues e predikues. Ajo përpiqet të nxisë zhvillimin e mësimit përgjatë gjithë jetës, si një mënyrë për t’u bërë ballë ndryshimeve të vazhdueshme, si dhe të vlerësojë mënyrat e shfrytëzimit më të mirë të potencialeve të teknologjive digjitale në mësimin përgjatë jetës, duke e vënë theksin veçanërisht tek arsimi islam.

Qëllimi i organizatorëve është zgjerimi i fushës së diskutimeve, analizave, hulumtimeve dhe shkëmbimit të praktikave të mira, bazuar në përvojat lokale. Konkretisht, në ditën e parë të punimeve të konferencës, pas fjalës përshëndetëse të drejtuesve të institucioneve që organizojnë këtë event, u mbajtën tri sesione me disa ligjërata që kishin në fokus: mjetet dhe burimet e aplikimit të metodave të avancuara në mësimin on-line, rëndësia e të mësuarit përgjatë gjithë jetës, sfidat e njeriut në Epokën digjitale, Islami dhe mësimi virtual, biblioteka digjitale, platformat e mësimit on-line për studentët e arsimit të lartë, terminologjia e gjuhës shqipe në Epokën digjitale etj.

Dita e dytë e konferencës do të vazhdojë me tri sesionet e tjera të kumtesave dhe pritet të sjellë një sërë përfundimesh e rekomandimesh në fund, duke u mbyllur me shpërndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit.