Kryetari i Forumit Rinor të Bashkëpunimit Islamik (ICYF), z. Taha Ayhan, bëri një vizitë kortezie në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ku u prit nga drejtori, Dr. Ardian Muhaj, dhe themeluesi i AIITC, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë, bashkë me delegacionin që e shoqëronte, mes shumë takimeve, z. Ayhan shprehu dëshirën për t’u njohur nga afër edhe veprimtarinë shkencore-kulturore të institutit AIITC. Qëllimi i vizitës së tij në Tiranë është krijimi i një ure bashkëpunimi me institucionet shqiptare në promovimin e vlerave më të mira të Islamit, sidomos mes të rinjve.

Gjatë kësaj vizite, drejtori Muhaj e informoi z. Ayhan mbi disa prej projekteve madhore të AIITC, duke u ndalur kryesisht te botimet më të rëndësishme, apo në zhvillimin e Konferencave shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ndërsa z. Ayhan shprehu mirënjohjen për pritjen miqësore, duke vlerësuar punën e bërë nga AIITC në promovimin e qytetërimit islam mes shqiptarëve. Ai theksoi nevojën e zhvillimit të projekteve të përbashkëta në disa fusha me interes reciprok në të ardhmen.

Në fund të këtij takimi, vizitorëve iu dhuran edhe disa nga botimet më të fundit të institutit AIITC.