Libri studimor “Qasje Bashkëkohore ndaj Kuranit dhe Sunetit” tashmë ndodhet në duart e lexuesve. Ky botim është një përmbledhje kumtesash të zgjedhura nga Mahmoud Ayoub, të mbajtura në Institutin Veror të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT), në periudhën 15 korrik – 15 gusht 2008. Vjen në gjuhën shqipe nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam si dhe Institutit për Studime të Avancuara (CNS).
Autori e konsideron këtë vepër një përpjekje modeste për të ndriçuar rrugën drejt njohjes së thelluar të Kuranit dhe Sunetit. Kurani është një burim i pashtershëm studimi, ndaj lidhja jonë me Librin e Shenjtë duhet të jetë gjithnjë e një thellësie dhe mprehtësie të urtë e të mençur, që duhet të vëzhgohet me kujdes dhe të ndiqet në mënyrë të vazhdueshme. Ndërsa Suneti i Profetit Muhamed (a.s.), në thelb, nuk është thjesht një korpus i literaturës fetare, por një forcë e gjallë dhe dinamike që duhet ta përdorin të gjithë muslimanët si model për jetën e tyre.
Esetë që përmban kjo përmbledhje, janë diskutime mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me Kuranin dhe me Sunetin, të ndara në katër pjesë. Njëmbëdhjetë kumtesat, pjesë e këtij vëllimi, trajtojnë një larmi çështjesh mbi Librin e Shenjtë dhe traditën profetike. Dy kumtesat e para përqendrohen në shkencën dhe konceptin kuranor. Pesë kumtesat e tjera trajtojnë Kuranin në lidhje me disiplinat jokuranore. Këto ndiqen nga tri kumtesa që kanë të bëjnë në mënyrë të veçantë me Sunetin dhe aplikimin juridik të tij, si edhe një kumtesë e fundit që e mbyll botimin dhe flet për një qasje muslimane ndaj studimeve perëndimore rreth Islamit. Nga këndvështrimet e ofruara dhe nga çështjet e përgjithshme të shqyrtuara në libër, përfitojnë si lexuesit e zakonshëm, ashtu edhe ata të specializuar në fushën e Islamit.