Edhe gjatë muajit tetor emisioni i përjavshëm “Kontakt me librin”, që transmetohet çdo të premte në valët e Radio Kontakt, solli tituj interesantë librash, kryesisht botime të institutit AIITC. MePërgjegjësine Departamentit të Edukimit pranë AIITC, z. Pëllumb Jaupi, diskutuam rreth librit “Drita e zemrës”, të autorit Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, dhe rëndësinë e këtij libri për fillestarët në besimin islam.
E ftuar e veçantë në studio ishte edheProf. Dr. Nevila Nika, historiane dhe anëtare e redaksisë së revistës shkencore-kulturore “Univers”, organ i institutit AIITC që prej vitit 2001. Në një bisedë miqësore rreth kësaj reviste, ajo solli eksperiencën e saj disavjeçare si anëtare redaksie dhe përgjegjësinë e madhe të përzgjedhjes mes qindra artikujve që paraqiten për botim në këtë revistë.
Një tjetër propozim për lexuesit dhe dëgjuesit e radios ishte edhe vepra studimore “Kontributet muslimane në qytetërimin botëror”, e përgatitur nga autorët Basheer Ahmed, Amb. Syed A. Ahsani dhe Dilnawaz Siddiqui. Libri synon të hedhë dritë mbi kontributin e studiuesve dhe dijetarëve islamë në disa fusha specifike të dijes. Ndërsa me poeten dhe mësuesen e Gjuhë-Letërsisë, Marjeta Çurumi, diskutuam rreth vëllimit të saj poetik: “Përtej realitetit gri”, botim i Shoqatës Kulturore Gruaja.