Pajisja e fëmijëve me fenë e bukur islame është një nga misionet kryesore të xhamive dhe Qendrave social-kulturore nën kujdesin e AIITC. Prej vitesh, në këto qendra janë hapur kurset e Edukatës Islame, në të cilat fëmijët marrin dije në lëndët Kuran, Hadith, Fikh, Histori islame, gjuhë arabe etj. Aktualisht, kurset funksionojnë në xhamitë Bërzhitë, “Dy vajzat” të Shkodrës, Shkafanë, Çetë, Malbardhë, Trevllazër të Vlorës etj. Në to janë regjistruar dhjetëra fëmijë të moshës shkollore 6-14 vjeç, të cilët kanë shprehur dëshirën për të zgjeruar njohuritë e tyre mbi besimin islam. 

Muaji tetor shënoi një rritje të pjesëmarrjes së fëmijëve në këto kurse, ku imamët e xhamive i mësojnë ata me dashurinë për Profetin Muhamed (a.s.), me gjuhën e Kuranit dhe me virtytet e parimet e bukura të Islamit. Mësimi zhvillohet nën masa të rrepta të higjienës dhe ruajtjes së distancimit social, sipas porosive të Minstrisë së Shëndetësisë. Përgjatë vitit shkollor, kurset e Eduaktës Islame shoqërohen me aktivitete social-kulturore, ekskursione, minikonkurse apo panaire gatimi, që synojnë argëtimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve për rolin dhe rëndësinë e tyre në familje e shoqëri.