Titulli i librit: “Mendimi Islam Bashkëkohor: Zhvillime dhe Perspektiva
Arsimi Islam te Shqiptarët: Sfida dhe Perspektiva”
Publisher: AIITC
Botues/Editor: Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj
Nr. faqeve: 351
Vendi, viti i botimit: Tiranë, 2017
ISBN:978-9928-126-13-9
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam sjell për lexuesit një tjetër libër voluminoz, në kuadër të botimeve me tematikë shkencore e studimore. Bëhet fjalë për përmbledhjen e dy konferencave të rëndësishme ndërkombëtare që u organizuan në vitet 2015-2016. Konferenca e parë u zhvillua në Tiranë, me temë “Mendimi bashkëkohor islam: Sfida dhe perspektiva”, ndërsa konferenca e dytë në Tivar të Malit të Zi, me temë: “Arsimi islam te shqiptarët: Sfida dhe perspektiva”. Punimet e dy konferencave trajtojnë zhvillimet bashkëkohore të mendimit islam te shqiptarët dhe ecurinë e arsimit islam në mesin e tyre, me problematikat, arritjet dhe sfidat që parashtrojnë koha dhe situata aktuale rajonale e ndërkombëtare. Tashmë këto punime i prezantohen publikut shqiptar e më gjerë, të botuara në një vëllim të vetëm, të shoqëruar me përmbledhjet e tyre në gjuhën angleze.
Qytetërimi ilsam arriti të sintetizonte dhe të zhvillonte më tej arritjet më të mira të dijes dhe kulturës njerëzore të kohës. Ndër popujt që kanë lënë gjurmë në këtë trashëgimi të pasur botërore, janë edhe shqiptarët, pas pranimit masiv të Islamit nga ana e tyre. Por për shkak të ndryshimit dhe përmbysjeve të vazhdueshme të rrethanave politike, shoqërore dhe historike në njëqindvjeçarin e fundit, edhe zhvillimet e mendimit islam te shqiptarët kanë pësuar shumë luhatje gjatë kësaj kohe, duke shkuar deri në ndërprerje, për t’u riaktivizuar më pas në nivele të ndryshme. Hulumtimi i këtyre zhvillimeve nuk ka hasur deri tani në vëmendjen dhe seriozitetin e duhur nga shkenca shqiptare.
Pikërisht ky ishte edhe qëllimi i dy konferencave, për të kontribuar në mbushjen e këtij boshllëku studimor dhe për të krijuar një platformë të përbashkët që do të ndikonte në lulëzimin e mendimit islam te shqiptarët. Disa nga referuesit në këto dy konferenca, janë emra të njohur të botës akademike, studjues, gjuhëtar dhe njohës të kulturës islame. Në kumtesat e tyre një rëndësi e veçantë i kushtohet mendimit bashkëkohor islam dhe rrugëve që duhen ndjekur për integrimin e tij në kurrikulat e institucioneve arsimore publike, si një domosdoshmëri për zhvillimin e shoqërisë.
Ky botim tashmë është në dispozicion të organizmave që kujdesen për veprimtarinë akademike, arsimore e kulturore islame si dhe të lexuesve e studiuesve që kanë në fushën e interesit të tyre kulturën dhe mendimin islam. Ai shërben si një bazë e shëndoshë dhe stimulues për të çuar më tej punën studimore dhe intelektuale në këtë drejtim.