Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam po punon intensivisht për daljen nga shtypi të dy librave mjaft interesantë, pjesë e kolanës së Librave të Shkurtër të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Libri “Anësia epistemologjike në shkencat fizike dhe sociale” i autorit Abdelëahab M. El-Messiri, shqyrton një çështje akademike të rëndësishme, por të lënë pas dore: adoptimin e gjerë dhe pranimin e paradigmave, terminologjive dhe modeleve kërkimore të huaja ndaj realiteteve socio-ekonomike-fetare të botës muslimane.

Hulumtuesit kudo në botë përballen me terminologji dhe paradigma të importuara kryesisht nga bota perëndimore. Këto paradigma kanë përparësi sidomos në fushat ekonomike dhe politike të Perëndimit, por jo gjithmonë lidhen me realitetin e popujve joperëndimorë, prandaj mund të kenë një efekt shtrembërues. Shumë metafora epistemologjike të nënkuptuara vijnë të njëanshme dhe të gatshme nga Perëndimi, duke kufizuar lirinë e kërkimit dhe të mendimit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i këtij libri, që kërkon të theksojë karakterin krijues e revolucionar të anësisë kundërshtuese, si dhe të ndihmojë lexuesit ta njohin dhe ta kapërcejnë atë.  

Ndërsa libërthi “Duke rimenduar gratë muslimane dhe mbulesën: Sfida ndaj stereotipeve historike dhe moderne” i autores Katherine Bullock, është një kritikë e fortë dhe inteligjente e nocionit popullor perëndimor të mbulesës, si një simbol i shtypjes së grave muslimane. Duke trajtuar shumë nga shqetësimet kyçe social-politike që kjo çështje globale ka ngritur, autorja shqyrton fiksimin historik të Perëndimit me mbulesën, vlerëson diskursin feminist dhe ofron një teori alternative të mbulesës. Një veçori e rëndësishme e këtij punimi është zëri që autorja u ka dhënë pikëpamjeve, mendimeve dhe përvojave të një grupi grash muslimane të intervistuara në Kanada për temën e hixhabit (shamisë).

AIITC mori përsipër botimin në shqip të dy libërthave dhe shumë shpejt lexuesit do t′i kenë ata ndër duar. Botimi i tyre mbështetet gjithashtu nga Instituti Ndërkombëtar i Mendimit Islam (IIIT) dhe Qendra për Studime të Avancuara (CNS).