Në vazhdën e botimeve të suksesshme të realizuara nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, dhjetëra veprave të rëndësishme që panë dritën e botimit gjatë këtij viti, iu shtua së fundi, edhe libri studimor “Kurani në kohët e sotme”, i autorit Enes Karić. Libri është një përmbledhje punimesh studimore rreth trajtimit bashkëkohor të çështjeve të trajtuara në Librin e Shenjtë.
Studimet e përzgjedhura nga autorë bashkëkohorë, si Charles Adams, Muhammed Arkun, Freeland Abbot, Richard Martin, Omer Nakiçevic, Mahmud Ejub etj., kanë në qendër të tyre trajtimin e disa prej çështjeve më interesante për interpretimin bashkëkohor të Kuranit. Libri vjen i përkthyer nga gjuha boshnjake në gjuhën shqipe, prej studiuesit Ismail Dizdari. Në rrugë të ndryshme, në mënyra të ndryshme dhe për motive të ndryshme janë bërë komentime jo të sakta të Librit të Shenjtë. Disa dijetarë janë sjellë me mjaft tolerancë ndaj përkthimeve apokrifine (vepër që gabimisht i atribuohet një autori), të cilat kishin si qëllim nxitjen e kurajës për një punë të mirë, respektivisht shmangien nga vepra e keqe.
Në libër theksohet se situata e sotme na ofron të gjitha mundësitë nga ky zhvillim bashkëkohor, që të kalojmë te një përpunim i ri i trajtimit të Kuranit. Sipas autorit, ne tani kemi mundësi më të mëdha për të kuptuar më thellë, më gjerë dhe më qartë shumë probleme, ide, shfaqje të ndryshme, ngjarje dhe procese që përmend Kurani, se sa gjeneratat e mëparshme.
Këto dhe të tjera çështje trajtohen në këtë përmbledhje që tashmë ndodhet në duart e lexuesve. Ky botim është pjesa e parë e studimit të autorit Enes Karić. Pjesa e dytë që pritet të përgatitet së shpejti, e vendos theksin më tepër tek autorët arabo-islamikë: Akkad, Behijj, Bintu-Shati, Sherkavi, etj.