Në vazhdën e Serisë së ligjëratave shkencore, Instituti Shqiptar i Mendimitdhe i Qytetërimit Islam zhvilloi një ligjeratë mbi të drejtat e muslimanëve dhe pakicave në Sanxhak. I ftuar ishte historiani, shkrimtari dhe aktivisti Prof. Dr. Redzep Skrijelj, nën kryetar i Këshillit Kombëtar Boshnjak. Ai është autor i katër librave dhe i më shumë se njëqind studimeve, artikujve shkencorë e diskutimeve në fushat e historisë, letërsisë së lashtë turke, diplomacies osmane, krijimit epik, epigrafisë, onomastikës, eseve dhe përkthimit. Zotëron rreth pesëdhjetë vlerësime dhe aktualisht është Profesor në Universitetin e Novi Pazarit, Sanxhak.

Kjo temë është trajtuar shpesh nga Prof. Skrijelj në disa konferenca e takime ndërkombëtare, duke e konsideruar si një çështje shumë të rëndësishme të drejtat e muslimanëve dhe të pakicave në Sanxhak. Takimin online e hapi drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili bëri një prezantim të shkurtër të ligjëruesit, duke e vlerësuar si të nevojshme rikthimin e kësaj çështjeje për shqiptarët. Ai vuri në pah edhe kontributin e AIITC në realizimin e këtyre takimeve të dobishme dhe frytdhënëse për promovimin e vlerave të qytetërimit islam.

Fjalën e tij, Prof. Skrijelj e nisi me një panoramë të përgjithshme mbi historinë e kalvarit të vuajtjeve të shqiptarëve të Sanxhakut. Ai theksoi se përndjekja policore dhe politika e diskriminimit në ngjarjet e vitit 1991, përhapi psikozën e frikës dhe solli një eksod në masë të madhe të tyre, ku më shumë se 75 mijë boshnjakë u larguan në emigrim, kryesisht në vendet perëndimore. Për sa i përket situatës sot, ai vuri në dukje se problem vazhdon të mbetet rreziku i asimilimit të kësaj pakice, ndërkohë që nuk është vënë ende drejtësia në vend për mbrojtjen e të drejtave të tyre.     

Takimi u ndoq me interes nga dhjetëra studiues, teologë, studentë e bashkëpunëtorë të AIITC, të cilët patën mundësinë t’i drejtojnë pyetje profesorit rreth çështjes së trajtuar në ligjëratën e tij. I pyetur rreth lirisë së muslimanëve të Sanxhakut për të ushtruar të drejtën e besimit, Profesor Skrijelj theksoi se tashmë feja islame është e konsoliduar mes shqiptarëve të Sanxhakut dhe ata janë të mirorganizuar në aspektin e institucioneve fetare. Takimi u mbyll me një mesazh domethënës nga ana e tij për të gjithë shqiptarët, vendosjen e marrëdhnieve të ndërsjella në shumë fusha të jetës, si një mbështetje morale dhe sociale ndaj muslimanëve të Sanxhakut.