Sot, më datë 8 shkurt 2021, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare intelektuali dhe studiuesi Alush Saraçi, punëtor i palodhur për komunitetin tiranas, njeri me virtyte të larta dhe kontribute patriotike. Ai lindi në Elbasan, më 03.08.1941. Ishte një kontribues i palodhur në fushën e edukimit, një familjar dhe besimtar i devotshëm. I sapodiplomuar, në vitin 1960 deri në vitin ’63 arriti të ishte ndër pedagogët e një brezi të zgjedhur nxënesish në gjimnazin “10 Korriku” (më pas “Sami Frashëri”), ku jepte lëndën “Punë praktike”.  

Pas viteve 90-të, Alushi u ngarkua me detyrën e Drejtorit të Personelit në Spitalin “Nënë Tereza”. Gjatë kësaj periudhe, ka zhvilluar disa kualifikime dhe trajnime në SHBA, ku pas kthimit në Tiranë, ka dhënë ndihmesë për vendin, duke drejtuar me aftësi sektor të rëndesishëm në bashki, si përgjegjës i Zyrës së Pritjes, dhe në disa poste të tjera zyrtare të vlerësuara, duke ndikuar në mbarëvajtjen e tyre.  

Ai ishte ndër bashkëpunëtorët e parë dhe anëtar i Bordit Drejtues të AIITC, ku dha kontributin e tij me idetë dhe eksperiencën profesionale për vite me radhë. Këshillat e tij për stafin e AIITC ishin ndër më të vyerat dhe shumë të dobishme për ecurinë e punës ndër vite. 

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Saraçi për këtë humbje, duke vlerësuar figurën e profesor Alush Saraçit, si një personalitet i shquar, patriot i madh, njeri i dashur dhe bashkëpunëtor shembullor.   

Zoti e pastë marrë nën kujdesin dhe Mëshirën e Tij që nuk mbaron asnjëherë!