Emisioni “Kontakt me librin” ka trajtuar disa botime të tjera, duke i dhënë rëndësi tematikës dhe mesazheve që përcjellin. Në një prej takimeve të radhës në emisionin “Kontakt me librin” diskutuam rreth librit studimor “Objektivat e Ligjit Islam – Një udhëzues për fillestarët”, të autorit Dr. Jasser Auda. Në këtë libër autori i jep përgjigje një sërë pyetjesh mbi Mekasid el Sheriah, duke shuar kureshtjen e miliona njerëzve mbi Islamin, sidomos brezave të rinj.
Një tjetër intervistë interesante ishte ajo me studiuesin dhe përkthyesin Ismail Dizdari. Diskutuam rreth librit studimor ′′Kurani në kohën e sotme”, të autorit Enes Karic, që përkthyesi Dizdari e ka sjellë në gjuhën shqipe, në bashkëpunim me AIITC.
Krejt e veçantë ishte intervista e realizuar me poeten e talentuar Pranvera Loci, që na risolli emocionet e përjetuara gjatë realizimit të vëllimit poetik “Zgjodha Islamin fe”, botim i Shoqatës Kulturore “Gruaja”. Ajo ishte e shoqëruar nga vajza e saj Amina, e cila interpretoi në studio disa nga poezitë e librit të nësës së saj.
Libri “Soditje – Një studim mendor-shpirtëror islam”, ishte në qendër të bisedës me Përgjegjësen e Departamentit të botimeve pranë Shoqatës Kulturore Gruaja, redaktoren Ardela Hyka. Ky libër ka frymëzuar me qindra njerëz, për ta bërë soditjen shpirtërore pjesë të jetës së tyre.
Duke synuar promovimin e talenteve të reja, në një prej bisedave të radhës diskutuam rreth vëllimit poetik “Takim me t’pamundshmen” të artistit të talentuar Blerim Vaka, ku i ftuar në studio ishte vetë autori.