Viti 2021 nisi me një frekuentim të gjerë të kurseve të Edukatës Islame, që zhvillohen pranë Qendrave Social Kulturore, nën kujdesin e AIITC. Me dhjetëra fëmijë të moshave shkollore, djem e vajza, janë regjistruar në këto kurse, ku pajisen me njohuritë bazë të Islamit, në lëndët Histori profetike, Kurani Fisnik, Hadith, Fikh etj.
Me të njëjtin ritëm ndiqen edhe kurset e gjuhës angleze në 4 nivele, ku fëmijët synojnë të përmirësojnë anglishten e tyre, si një domosdoshmëri e kohës. Mësimi zhvillohet me metoda bashkëkohore mësdhënieje, duke ndjekur programe të avancuara. Pas përfundimit të këtyre niveleve, kursantët do të pajisen me certifikata aftësie për përvetësimin e gjuhës angleze.
Me qëllimin e mirë për mbështetjen e komunitetit, Qendrat social kulturore të AIITC do të vazhdojnë në vijimësi këto kurse, në përputhje edhe me kapacitetet dhe bazën materiale që ato ofrojnë, duke zbatuar me përpikëri të gjitha udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë për distancimin social.