Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS) në Sarajevë, përmbyllën me sukses seminarin intensiv dyjavor online mbi “Metodat sasiore të kërkimit në shkencat humane dhe fetare”. Ai dha një kontribut të vyer në trajnimin e studiuesve të rinj për thellimin e tyre në metodat e kërkimit shkencor. Studimi i rolit të Islamit në pikëtakimin midis shkencave shoqërore, shkencave humane dhe teologjisë është një domosdoshmëri për studiuesit, të cilët duhet të jenë të aftë në thellimin e studimeve të tyre në shkencat shoqërore dhe humane.
Lektorë të këtij seminari ishin drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj; Dr. Mentor Beqa nga Universiteti Aleksandër Moisiu, Durrës; Dr. Ylber Dyli nga Universiteti i Shkodrës dhe Dr. Vehap Kola nga New University of Tirana. Ligjëratat e tyre u përqendruan kryesisht në metodat dhe në mënyrat e planifikimit të një kërkimi shkencor.
Disa nga objektivat kryesore të seminarit ishin: Identifikimi dhe mbështetja e një komuniteti studiuesish me interes të veçantë për rolin e fesë në shoqëri; njohja e pjesëmarrësve me metodat sasiore të hulumtimit, kryerjen dhe interpretimin e statistikave përshkruese dhe konkrete, që ata të rishikojnë në mënyrë kritike raportet e hulumtimeve dhe punimet shkencore; të jenë në gjendje të shkruajnë protokolle kërkimore, raporte dhe punimeshkencore.
Interesi për ndjekjen online të këtij seminari trajnues ishte i konsiderueshëm nga studiues e teologë, të cilët tashmë do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje dhe me një set të botimeve më të fundit të AIITC në bashkëpunim me CNS.