Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA), vijnë këtë Muaj Ramazani me një dhuratë për besimtarë muslimanë. Sapo ka dalë nga shtypi libri: “Hyrje në Sistemin Financiar Islam”, studim i autorit Muhamed T. Usmani.

Kjo vepër është një përmbledhje e artikujve të ndryshëm që kishin për qëllim sigurimin e informacionit bazë, në lidhje me rregullat dhe parimet e financave islame, me theks të veçantë në mënyrat e financimit të përdorura nga bankat dhe institucionet financiare jobankare islame. Gjithashtu trajton çështjet praktike të përfshira në zbatimin e këtyre instrumenteve dhe zgjidhjet e tyre të mundshme në dritën e Sheriatit.

Publikimi i këtij libri i shërben të gjithë atyre që duan të hulumtojnë mbi sistemin financiar islam, jo vetëm besimtarëve myslimanë, por të gjithë profesionistëve në spektrin financiar shqiptar. Autori është përpjekur të diskutojë tematikën në mënyrë të thjeshtë dhe lehtësisht të kuptueshme nga lexuesi që nuk ka pasur mundësi të studiojë në thellësi parimet financiare islame.

Sikurse thotë dhe vetë autori i librit: “Njerëzit që nuk njohin parimet e Sheriatit dhe filozofinë e tij ekonomike, jo rrallë besojnë se heqja e kamatës nga bankat dhe institucionet financiare do t’i bënte ato institucione bamirësie, më shumë sesa komerciale, të cilat ofrojnë shërbime financiare, pa fituar asgjë për vete”.