Muaji i Shenjtë i Ramazanit është muaj adhurimi ndaj Zotit, është muaji i devotshmërisë dhe dashurisë ndërnjerëzore. Shtrimi i iftareve të përbashkëta është shembulli më i mirë i qëllimit të këtij muaji. Pas vetëpërmbajtjes nga ushqimi dhe veprat e këqija, besimtarët myslimanë mblidhen në iftar, duke adhuruar Zotin dhe duke biseduar mbi të mirat e besimit. Një nga qëllimet kryesore të agjërimit të këtij muaji është edhe forcimi i unitetit, vëllazërisë dhe harmonisë mes njerëzve, çka shfaqet dukshëm në shtrimin e sofrave të iftareve.
Bashkimi i besimtarëve muslimanë në tryezat e iftarit, është pjesa më e bukur e Muajit të Ramazanit. Tashmë shtrimi i iftareve për agjëruesit është kthyer në një traditë të hershme nga Instituti i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Pothuajse në të gjitha xhamitë nën kujdesin e AIITC, gjatë gjithë Muajit të Ramazanit shtrohen iftare me besimtarë muslimanë, ku ata kanë mundësinë që të shijojnë së bashku momentet e pranimit të agjërimit dhe të lutjeve. Stafi i AIITC, në bashkëpunim me imamët e këtyre xhamive, bëjnë një punë të konsiderueshme për menaxhimin e mbarëvajtjes së këtyre iftareve masive, ku marrin pjesë dhjetëra besimtarë.