Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam zhvilloi mbledhjen e Bordit Drejtues, për të analizuar veprimtarinë e vitit 2020, ku si gjithnjë, në fokus kanë qenë aktivitetet shkencore e kulturore. Në mbledhje ishin të pranishëm Kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova; drejtori i institutit, Dr. Ardian Muhaj; anëtarët: Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj; Prof. Xhemal Balla, Prof. As. Dr. Reis Mulita dhe Av. Heral Saraçi.
Fjalën përshëndetëse e mbajti kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova, i cili njohu anëtarët e pranishëm me rendin e kësaj mbledhjeje. Ndërsa drejtori Muhaj prezantoi raportin vjetor të punës, sipas departamenteve përkatëse. Ai theksoi se, pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia botërore, stafi i AIITC është përpjekur të kryejë me korrektësi detyrat për realizimin e një sërë projektesh serioze. Pas këtij prezantimi, e mori fjalën Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i cili propozoi si anëtar të ri në Bordin Drejtues, juristin dhe historianin Av. Heral Saraçi. Ky propozim u miratua në unanimitet, nga të gjithë anëtarët e Bordit.
Duke pranuar se ndihej i privilegjuar në këtë detyrë të ngarkuar, Avokati Saraçi premtoi se do të japë kontributin e tij si besimtar dhe intelektual, në funksion të misionit të AIITC për zhvillimin e Islamit në Shqipëri. Gjithashtu, në këtë mbledhje u përmendën edhe disa nga prioritetet e këtij instituti për vitin 2021. Anëtarët e Bordit analizuan ecurinë e punës kërkimore-shkencore të AIITC dhe projektet për të ardhmen, duke dhënë propozimet dhe sugjerimet përkatëse që synojnë mbarëvajtjen e planeve dhe projekteve në të ardhmen.