Në vazhdim të projekteve për realizimin e një sërë botimesh në gjuhën shqipe, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Qendrën për Studime të Avancuara (CNS), janë drejt finalizimit të projektit për botimin në shqip të librit studimor “Një hyrje e shkurtër në interpretimin e kuptimeve të Kuranit”, të autorit Ali Suleiman Ali. Qëllimi kryesor i autorit ka qenë t’u sigurojë lexuesve informacione themelore në lidhje me evoluimin e tefsirit të disa interpretuesve kryesorë të Kuranit dhe veprave të tyre.
Sipas autorit, Kurani i drejtohet njerëzimit, para së gjithash, për udhëzim në të gjitha aspektet e jetës: shpirtërore, politike, ekonomike, shoqërore, etj. Ndaj mbetet i rëndësishëm interpretimi i drejtë i Librit të Shenjtë. Ky studim synon të prezantojë lexuesit, sidomos studentët e shkencave të tefsirit, me zhvillimin historik të interpretimit kuranor, që nga koha e Profetit Muhamed (a.s.), deri në ditët e sotme.
Punimi thekson natyrën, karakteristikat dhe metodologjinë e tefsirit të Profetit (a.s.), por diskuton edhe mbi tefsirin e sahabëve të Profetit (a.s.), apo të brezit që pasoi sahabët. Libri, gjithashtu, hedh dritë mbi disa prirje të reja në botën bashkëkohore, duke nënvizuar disa ndryshime midis veprave klasike dhe atyre moderne të tefsirit.