Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam është një ndër të parët promovues të kulturës dhe qytetërimit islam në trojet shqiptare. Veç të tjerash, bën një punë voluminoze në sektorin e botimeve, duke sjellë vepra studimore, shkencore e letrare me vlerë të madhe nëpasurimin e kulturës shqiptare. Emisioni radiofonik “Kontakt me librin”, është një cikël takimesh me shkrimtarë, kritikë letrarë, përkthyes e gjuhëtarë, për vlerësimin dhe risjelljen ne vëmendje të disa prej botimeve më të spikatura të AIITC ndër vite, duke nxjerrë në pah vlerat e tyre studimore, mesazhet pozitive që përcjellin dhe rëndësinë që ato kanë në fushën e letrave shqipe.
Çdo të premte në studion e Radio Kontakt ftohen personalitete që kanë dhënë kontributin e tyre për realizimin e këtyre botimeve, studiues që e kanë lexuar librin në fjalë dhe japin një mendim kritik rreth tij, apo profesionistë të një fushe të caktuar që trajtohet në këto libra. Emisioni synon të bëjë një rifreskim të botimeve më të hershme të AIITC dhe ato të viteve të fundit, duke vlerësuar njëkohësisht edhe punën voluminoze të AIITC në sektorin e botimeve.
Emisioni i parë nisi me drejtorin e AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili vlerësoi këtë nismë, si një kontribut i vyer për kulturën shqiptare dhe rikthimin e vëmendjes së publikut te libri dhe roli i tij në formimin e personalitetit. Pas një prezantimi të përgjithshëm të disa prej titujve më interesantë dhe botimeve më të kërkuara, ai theksoi se javë pas jave dëgjuesit e Radio Kontakt do kenë mundësi të njihen me disa prej autorëve të këtyre librave, emra të njohur të shkencës dhe kulturës shqiptare.