Kursi i Edukatës islame në xhaminë “Trevllazër” të Vlorës kujdeset për formimin dhe integrimin e fëmijëve të zonës, duke i pajisur ata edhe me edukatën e bukur islame. Janë 22 fëmijë të regjistruar në këtë kurs, që dëshirojnë të marrin dije në lëndët Kuran, Hadith, Fikh, Edukate, Histori Islame etj., gjë që i ndihmon ata në ushqimin shpirtëror dhe në shmangien nga veset e ditëve të sotme, ku fenomenet negative po mbizotërojnë në jetën tonë.
Në kuadër të këtyre kurseve, zhvillohen edhe një sërë aktivitetesh artistike e argëtuese, mes të cilave konkursi nën moton: “Feja ime e bukur”, ku fëmijët provuan dijet e përfituara në këto lëndë. Konkursi përfshinte pyetje dhe kuice mbi shtyllat e Islamit dhe imanit, mbi jetën e Profetit, mësimin përmendësh të ajeteve kuranore etj. Fituesve iu dhanë edhe disa dhurata simbolike, si stimul për aftësitë e treguara dhe seriozitetin me të cilin ndjekin kursin e Edukatës islame.
Ndërsa imami i xhamisë “Trevllazër”, Patosh Dervishaj, mbajti një ligjëratë të shkurtër mbi jetën e Profetit Muhamed (a.s.), temë e cila ngjalli kureshtje dhe shumë pyetje nga të pranishmit. I ftuar në këtë aktivitet edhe ishte përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Pëllumb Jaupi, i cili vlerësoi punën serioze të imamit dhe përgatitjen e fëmijëve, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes së këtyre kurseve dhe të çdo aktiviteti në funksion të komunitetit.