Podgoricë, 15.10.2019
Është përmbyllur me sukses në Podggoricë, Konferenca Ndërkombëtare me temë: “Edukimi joformal islam në gjuhën shqipe”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Në këtë konferencë ndërkombëtare, me pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha trojet shqiptare, studiues, profesorë universitetesh dhe mësues medresesh, për dy ditë me radhë, diskutuan dhe propozuan zgjidhjet e tyre mbi sfidat dhe perspektivat e edukimit joformal me përmbajtje islame në gjuhën shqipe.
Referuesit në kumtesat e prezantuara me cilësi e qartësi, vunë theksin në rëndësinë e përmirësimit të teksteve mësimore të edukimit islam, dhe në nevojën e sigurimit të infrastrukturës së përshtatshme për veprimtarinë akademike e arsimore islame në një shtrirje gjeografike gjithëpërfshirëse, nga Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria. Gjatë referateve u paraqitën edhe propozime konkrete. Mund të veçojmë idenë e krijimit të shkollave fetare alternative, të ndara në 4 cikle, ku fëmijëve do t’u ofrohen dije rreth Islamit, sipas moshave dhe stadit të zhvillimit. Po kështu, u vlerësua shfrytëzimi i xhamive për realizimin e kurseve të mësim-besimit, si dhe u propozuan mënyrat e pasurimit të programeve të edukatës islame me veprimtari social-kulturore e humanitare, si një mënyrë e mirë për ndërgjegjësimin e brezave të rinj rreth mesazheve universale të fesë islame.
Në seancën përmbyllëse u bë një përmbledhje e rezultateve të kësaj Konference dy ditore. Gjithashtu u arrit në përfundime dhe sugjerime të cilat pritet të bëhen realitet në të ardhmen, gjë që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve që kujdesen për veprimtarinë akademike e arsimore islame, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Preshevë. Në fund të konferencës, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata vlerësimi për kontributin e tyre në edukimin joformal islam në gjuhën shqipe.