Tiranë, 19.09.2019
Përfaqësues të Ambasadës së Palestinës zhvilluan një vizitë kortezie në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ku u pritën nga kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova, drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, dhe Përgjegjësi i Marrëdhënieve me Jashtë, z. Ubejd Osmani. Biseda e rastit u përqendrua në punën shkencore e studimore të këtij Instituti, projektet frytdhënëse në fushën e kulturës dhe qytetërimit islam, si dhe gamën e gjerë të botimeve në zhanre të ndryshme.
Ambasada e Palestinës përfaqësohej nga Konsulli i Ambasadës së Palestinës z. Karam Ferraj, dhe Sekretari i kësaj ambasade, z. Fatbardh Shegaj. Ata shprehën mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe dëshirën për t′u njohur në detaje me veprimtarinë shumëdimensionale të Institutit, me qëllim thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Drejtori i AIITC, Dr. Ardian Muhaj, fillimisht, bëri një prezantim të shkurtër të sektorëve në të cilët AIITC është fokusuar, duke u ndalur më së shumti në konferencat kombëtare e ndërkombëtare, në fushën e projekteve dhe në gamën e gjerë të botimeve. Gjatë takimit u shkëmbyen ide konkrete për veprimtari të përbashkëta, me synim promovimin e vlerave të kulturës islame dhe sfidat e saj në kohët moderne.
Të dyja palët shprehën nevojën intensifikimit të marrëdhënieve si një mundësi e mirë për realizimin e projekteve me interes reciprok dhe krijimin e urave të reja lidhëse mes dy institucioneve në të ardhmen. Në fund të takimit, miqve të nderuar iu dhuruan edhe disa nga botimet me të rëndësishme të AIITC.