Tiranë, 27.09.2019

Në mbledhjen e radhës së Bordit Drejtues të AIITC, mbajtur më datë 20.09.2019, veç të tjerash, u mor vendimi për krijimin e një platforme që synon ngritjen e Këshillit Ndërkombëtar të Bioetikës Mjekësore në Tiranë. Duke pasur parasysh zhvillimet që ka pësuar mjekësia vitet e fundit, lind nevoja e zbatimit të Etikës nga punonjësit e shëndetësisë në raport me pacientët, si dhe nga studiuesit gjatë kërkimeve shkencore.    

Në edicionin e 16-të të Akademisë AIITC “Popuj dhe Kultura”, Dr. Amin Kashmeery, Profesor i Fiziologjisë në Universitetin e Mbretit Saud bin Abdulaziz të Mekës, mbajti një leksion mjaft interesant me temë: “Islami dhe Etika në Biomjekësi”. Ai hodhi idenë e krijimit të një Këshilli Global mbi Etikën Biomjekësore në Islam, që të ketë në përbërje akademikë e studiues muslimanë nga e gjithë bota.

Duke vlerësuar kontributin e AIITC në promovimin e mendimit dhe qytetërimit islam mes shqiptarëve, Dr. Kashmeery propozoi që ky institut të marrë përsipër ngritjen e një prej zyrave të këtij Këshilli Global në Tiranë. Nisur nga kjo ide, në mbledhjen e tij të radhës, Bordi Drejtues vendosi të shohë me përparësi këtë propozim, përmes ngritjes së një grupi pune për hartimin e platformës që shumë shpejt do të mundësojë realizimin e këtij Këshilli.

Këshilli Global i Bioetikës Mjekësore ka si qëllim mbrojtjen e pacientëve nga abuzimet, apo monitorimin e shkeljeve të udhëzuesve ndërkombëtarë, siç janë Kartat e të drejtave të njeriut apo të pacientit.