Tiranë, 28.06.2019

Jetëgjatësia dhe suksesi i revistës “Univers”, për botimin e së cilës kujdeset Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), është tregues i një pune voluminoze dhe i përkushtimit të redaksisë së saj, që përbëhet nga profesorë të nderuar me kontribute të ҫmuara në studimet shqiptare. Tashmë, pas botimit të plot 20 numrave të saj, kjo redaksi zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u diskutua mbi arritjet dhe sfidat me të cilat përballet.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, anëtarët: Prof. Dr. Arian Kadiu, Prof. Dr. Hamit Boriçi, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiu, Prof. Dr. Ramazan Bogdani, Prof. Dr. Seit Mansaku, koordinatorja e revistës, znj. Anisa Hykaj dhe sekretarja e AIITC, znj. Zamira Greva.

Fjalën e hapjes e mbajti Kryeredaktori, Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, i cili fillimisht bëri një analizë të shkurtër të numrit 20 të revistës “Univers”. Ajo përmbante 25 artikuj nga fusha të ndryshme të studimeve shqiptare, kryesisht nga historia, mendimi, gjuhësia dhe letërsia. Si një numër jubilar, u prit me mjaft interes nga studiuesit dhe lexuesit e interesuar. Gjatë fjalës së tij, Kryeredaktori prezantoi edhe rezymetë e revistave në gjuhën arabe, të cilat tashmë kanë parë dritën e botimit. Gjithashtu Prof. Zekaj nënvizoi se po punohet fort në disa aspekte, për të mbajtur gjallë filozofinë shkencore e kulturore të revistës, gjë që ndikon dukshëm në performancën e saj.

Nuk munguan edhe vlerësimet e anëtarëve të redaksisë mbi numrin 20 të revistës, ku u vlerësua paraqitja mjaft estetike e saj si dhe u shpreh bindja se ky periodik shkencor-kulturor tashmë është në rrugë të mbarë dhe se po pritet me padurim botimi i numrit vijues të tij.

Pjesë e diskutimeve konstruktive ishin, mes të tjerash, edhe trajtimi i mundësisë për të pasur abstrakte në gjuhën turke dhe boshnjake, shtrirja e kontakteve për komunikim me bashkëpunëtorët jashtë vendit, përcaktimi i datave për promovimin e revistës në Ulqin, si edhe përgatitja e një platforme për realizimin e bibliografisë së 20 numrave të revistës “Univers”.

Pati mjaft diskutime rreth këtyre ideve dhe planeve për të ardhmen, ku të gjithë anëtarët e redaksisë dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre përkatëse. Ndërkohë, redaksia po punon për mbledhjen dhe përzgjedhjen e materialeve më të spikatura dhe interesante, që do të jenë pjesë e numrit 21 të revistës “Univers”.