Tiranë, 20.06.2019
Studentët që janë pjesë e programeve mbështetëse të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, zhvilluan takimin e fundit për këtë vit akademik, ku u pajisën edhe me bursat e periudhës qershor-korrik 2019. Të përzgjedhur mes studentëve elitarë të universiteteve të Tiranës, ata janë bërë pjesë e veprimtarive të larmishme shkencore e kulturore të AIITC, duke përfituar mjaft nga përvoja shumëvjeçare e këtij Instituti.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesi i AIITC, z. Genc Aga, solli në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm të të rinjve në të ardhmen e një kombi. Ata janë motori i një shoqërie dhe kjo është mosha më e mirë për të dhënë maksimumin në formimin intelektual dhe në përvetësimin e dijes përmes studimeve, duke u bërë të denjë për familjen dhe shoqërinë. Ai theksoi se nevojat e studentëve janë të mëdha, por AIITC është munduar të kontribuojë sadopak në mbulimin e shpenzimeve të tyre vjetore, gjatë vitit akademik 2018-2019. Edhe pse mosha studentore është periudha më e bukur e jetës, ai këshilloi studentët se prioriteti i tyre kryesor duhet të mbeten studimet, në mënyrë që ky investim i bërë për ta, të kthehet në një investim për të ardhmen e vendit.
Gjatë vitit akademik 2018-2019, përveç mbështetjes financiare me bursa, AIITC ka organizuar për Departamentin e Studentëve edhe një sërë aktivitetesh me karakter edukativ e kulturor, si seminare, biseda me autorë të njohur etj., të cilat kanë si qëllim angazhimin social të të rinjve dhe ndërveprimin mes tyre.
Studentët shprehën mirënjohjen e posaçme për mbështetjen financiare të AIITC, si një shtysë dhe motivim për rrugën e tyre drejt dijes. Ata pranuan se pjesëmarrja në aktivitetet e organizuara nga AIITC, i kanë shërbyer mjaft në formimin e tyre të përgjithshëm dhe në rritjen e ndërgjegjësimit ndaj zhvillimeve shkencore, sociale dhe kulturore të vendit. Departamenti i studentëve pranë AIITC do të vazhdojë rrugëtimin e përvitshëm në dobi të edukimit dhe mbështetjes financiare të brezit të ri, duke kontribuuar në diplomimin e studentëve me një të ardhme të ndritur.