Tiranë, 28.03.2019

Të jesh ambasador është privilegj dhe përgjegjësi e madhe. Përfaqësimi i denjë i vendit dhe ruajtja e marrëdhënieve korrekte me shtetet ku janë të akredituar, është sfida me të cilën përballen ambasadorët, që konsiderohen diplomatët e rangut më të lartë. Një shërbim i tillë në vitet 1990, pas ardhjes së demokracisë, ishte pothuajse i pamundur, sidomos në vendet e Lindjes së Mesme. Megjithatë ambasadori Faruk Borova arriti ta realizojë detyrën e tij me sukses, me maturi dhe profesionalizëm. Ai ishte i pari ambasador i akredituar në 7 vende të Lindjes së Mesme, me rezidencë në Kajro të Egjiptit. Kujtimet e tij nga kjo detyrë, Dr. Borova i ka botuar në një vepër mjaft interesante. “Rrugëtimi i një ambasadori në Lindjen e Mesme” është një libër me kujtime diplomatike dhe ngjarje historike nga detyra e tij e lartë si ambasador.

Për të folur më shumë rreth këtij libri dhe eksperiencës së tij diplomatike, Libroteka AIITC zhvilloi një takim miqësor, në kuadër të ciklit “Bisedë më autorin”. Fillimisht, një nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të Dr. Borovës, Ambasadori Sulejman Tomçini, në fjalën e rastit solli në vëmendje seriozitetin e punës së ambasadorëve gjatë atyre viteve, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë përkushtimin e ambasadorit Faruk Borova në detyrën e tij të vështirë. Ai theksoi se autori në këtë libër ka sjellë një informacion të bollshëm e të detajuar për gjithçka ka parë gjatë këtij “rrugëtimi” delikat dhe me përgjegjësi, duke dhënë një ndihmesë të çmuar në historinë e diplomacisë shqiptare, ku libra të tillë me kujtime janë të pakta. Sipas tij, të dhënat që jepen në libër për çdo vend të veçantë dhe liderët e tyre, kanë një kolorit të fortë historik, që u shërben lexuesve të gjithë niveleve, për t’u njohur më mirë me vendet dhe popujt e Lindjes së Mesme, mbartës të një kulture nga më të lashtat në botë.

Ndërsa vetë autori bëri një prezantim të shkurtër të veprës, duke risjellë në vëmendje kujtimet e tij gjatë procesit të paraqitjes së Letër Kredencialeve, gjatë vizitave e takimeve me personalitetet atje. Për ta realizuar këtë libër, iu desh të studionte historinë, zakonet, marrëdhëniet njerëzore midis popujve të këtij rajoni. Ai vlerësoi maksimalisht pritjen e ngrohtë jo vetëm nga popullsia atje, por edhe nga personalitetet e larta të Lindjes së Mesme. Madje e konsideron këtë moment të jetës së tij, si një nga arritjet më të mëdha, që solli një kthesë në karrierën profesionale. Dr. Borova theksoi se gjatë këtij rrugëtimi i kishte bërë përshtypje edhe respekti që egjiptianët kishin për shqiptarët, për shkak të kontributit të tyre në formimin e këtij shteti. Dinastia shqiptare që sundoi Egjiptin për gati 147 vjet, në veçanti roli i Muhamed Ali Pashës, ishin ndër arsyet që e bënë edhe më të lehtë detyrën e tij në Egjipt.