Tiranë, 25.01.2019

Përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilluan një vizitë pune në Ambasadën e Palestinës, në Tiranë. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja dhe prezantimi i ndryshimeve të reja në strukturën drejtuese të Institutit. Në këtë pritje morën pjesë Drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, Kryetari i Bordit Drejtues, dr. Faruk Borova, nëndrejtori Alban Kodra dhe përgjegjësi i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, z. Ubejd Osmani.

Delegacioni u prit nga i ngarkuari me punë në ambasadën palestineze, z. Hani Hossein, i cili shprehu përshtypjet më të mira për Shqipërinë. Ai vlerësoi punën dhe kontributin shumë vjeçar të Institutit AIITC. Në këtë takim, z. Hossein i uroi suksese drejtorit të ri për marrjen e detyrës, duke shprehur gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha ku AIITC jep kontributin e saj.

Pas një prezantimi të shkurtër të veprimtarisë së Institutit nga Kryetari i Bordit Drejtues, Dr. Faruk Borova, drejtori i AIITC, dr. Ardian Muhaj, përcolli dëshirën për krijimin e urave të reja lidhëse mes dy institucioneve. Në fund të takimit u shkëmbyen edhe disa dhurata simbolike mes dy palëve.